Aktualisht ndodhemi përballë një zhvillimi të jashtëzakonshëm tekonologjik ndërkohë që njëkohësisht vërehet një prapambetje e theksuar në përfshirjen e gruas në këtë sektor. Sipas statistikave vetëm 20% e profesionistëve në teknologji janë gra dhe sa më shumë rritet niveli i pozicionit të punës aq më shumë bie përqindja e grave që mbajnë pozicione drejtuese. Studimet gjithashtu tregojnë se Covid-19 ka patur një impakt më të madh tek gratë se sa tek burrat, kryesisht gratë janë ndikuar negativisht në shfaqjen e “Burn Out” si efekt i mbivendosjes së angazhimeve familjare dhe atyre profesionale, dhe gjithashtu është vënë re se gratë janë prekur më së shumti nga shkurtimet e vendeve të punës . (TrustRadius 2021 Women in Tech Report).
Të angazhohesh në një sektor të predominuar nga burrat është tashmë një sfidë më vete, të vendosësh të qendrosh me sukses në këtë sektor në kushtet e një pandemie për një grua është një sfidë edhe më e madhe.
Teknologjia mbi të gjitha është ndryshim i vazhdueshëm, një ndryshim tashmë i domosdoshëm dhe aftësia për tu përshtatur është një kusht thelbësor për të garantuar një karrierë të suksesshme në këtë fushë.
Si munden gratë të zhvillojnë një karrierë të suksesshme në një sektor të disfavorshëm?
Disa sugjerime se si mund të përshtasni lidershipin tuaj për të përballuar me sukses sfidat aktuale:
1- Njih pikat e tua të forta
Të qënit e vetëdijshme për vlerat dhe njohuritë e tua është më e rendësishme se sa të dish vlerat dhe njohuritë e njerzve përreth teje. Të njohësh veten në nivel personal dhe profesional është një proçes I cili nuk duhet të ndalojë kurrë pasi ne jemi qënie në zhvillim të vazhdueshëm dhe duke patur një vetëdije të lartë i krijojmë vetes mundësi për zgjedhje dhe vendime efektive në favor të krijimit të një karriere më të mirë dhe jo vetëm. Çdokush në ambjentin e punës ka pikat e forta dhe ato të dobëta, nëse e gjen veten në një spirale autokritike shpesh, ajo çka do të të ndihmonte është të identifikosh se kush janë pikat e tua të forta, ato aftësi të cilat të bëjnë tja dalësh me sukses dhe ti shfrtytëzosh ato për të përmirësuar pikat e dobëta. Rritja dhe zhvillimi i vazhdueshëm nuk është më një opsion por një domosdoshmëri ndërkohë që është njësoj e rendësishme që investimi në rritje profesionale të bëhet në mënyrë të fokusuar e të mirë-planifikuar sidomos në kushtet aktuale të një pafundësie opsionesh.
2- Modifiko Stilin tënd të lidershipit
Pavarësisht se ku je në karrierën tënde në këtë moment, ti je një lider. Termi lider sëfundmi është i mbipërdorur, por në thelb ka një kuptim shumë të thjeshtë: Lider është kushdo që mban përgjegjësi të plotë për cdo gjë që ndodh në jetën dhe punën e vet (Co-Active Coaching Model). Kështu, nëse ti je në një situatë profesionale që nuk të përmbush ti ke në dorë të bësh ndryshimet e duhura për të përmirësuar këtë situatë. Është shumë e rendësishme që të ndryshosh përqasjen tënde nga një pozitë “Pritësi” tek një përqasje më aktive e cila është fokusuar drejt krijimit të ndryshimit më shumë se sa tek pritja nga të tjerët.
· Nëse nuk ndihesh e kënaqur me frymën e ekipit në të cilin ti punon, cfarë mund të ndryshosh ti personalisht tek vetja jote për të krijuar një impakt pozitiv?
· Vizualizoje veten si një lider i suksesshëm pas 5 vitesh, cfarë këshille do ti jepje vetes tënde të sotshme?
· Sukseset e rendësishme nuk arrihen vetëm, prandaj hapi vendimtar që mund të ndërmarrësh në momente kyc është të kërkosh ndihmë kur e sheh që nuk po ja del dot. Identifiko persona të cilët i vlerëson dhe përfshiji ata në momente të nëvojshme për ty.
3- Objektiva afatgjatë
Nëse mendon vetëm për të tashmen do të jetë shumë e thjeshtë të humbasësh motivimin gjatë përballjes me pengesat e pashmangshme të punës në fushën e teknologjisë, prandaj krijimi i një plani afatgjatë i cili përfshin qëllime dhe objektiva të qarta që janë frymëzuese për ty është një garanci për qendrueshmëri. Një liber I cili ofron këshilla shumë të vlefshme në lidhje me strategjinë e biznesit është: Your Next Five Moves,Patrick Bet-David
4- Krijo Bazën tënde të suportit- Networking
Krijimi i një rrjeti që të bën të ndihesh e fuqizuar dhe e suportuar është thelbësor në arritjen objektivave të tua. Rrjetet profesionale mes grave kanë prirjen të shihen me dyshim nga vetë gratë, por nëse arrin të përfshihesh ose të krijosh vetë një grup tëndin të suportit atëherë do të kesh siguruar një pafundësi mundësish bashkëpunimi dhe gjithashtu një hapësirë të sigurtë ku të gjesh mbështetje në momente nevoje. Për sektorin e teknologjisë krijimi I një rrjeti dhe mbajtja e kontakteve të vazhdueshme është më sfiduese për vetë natyrën e punës, por nëse në anën tjetër jeni të vetëdijshme në lidhje me benefitet që mund të gjeni në një grup me mendësi të ngjashme me ju dhe ku mbizotëron një frymë pozitive bashkëpunimi atëherë shtysa për tu bërë pjesë e një rrjeti të përshtatshëm për ju nuk do t`ju mungojë.
Katër hapat e mësipërm kanë si qëllim tju ndihmojnë të rrisni vetëdijen dhe gjithashtu të ndërmerrni veprime të qëllimshme për të arritur objektivat tuaja. Nisur nga fakti që numri i grave të përfshira në fushën e teknologjisë është shumë i ulët, kjo ju jep përgjegjësinë e krijimit të mundësive të reja dhe të një shembulli pozitiv profesionaliteti e suporti të ndërsjelltë ndërmjet grave në mënyrë që edhe në të ardhmen, të tjerat që do të futen pas jush në këtë sektor të kenë synime gjithnjë e më të larta dhe një ambjent gjithnjë e më bashkëpunues.