Jemi duke jetuar në kohë të jashtëzakonshme,ku situatat globale krejtësisht të pakontrollueshme nga ne po na prezantojnë me sfida të njëpasnjëshme të cilat ndikojnë në mënyrë direkte në rezultatet konkrete të biznesit po ashtu si edhe në krijimin e konfuzionit apo percarjes në ekipe.
Në kushte pasigurie të lartë ku faktorët e jashtëm nuk mund të modifikohen është detyra e lidershipit të ndërmarrë hapa konkret dhe në kohën e duhur për të krijuar siguri dhe optimizëm në ambjentin e punës.
Çfarë mund të bëjnë lider-ët për të ofruar një frymë qendrueshmërie dhe mbështetje për çdo anëtar te ekipit në kohë pasigurie?
1. Filloni nga vetja : Vetë-Manaxhim
Të jeni në krye të një sipërmarrje/ekipi/projekti nuk do të thotë që ju nuk duhet të ndieni emocione si frika, stresi apo ankthi. Është krejtësisht normale që kushdo, përfshirë drejtuesit, të perceptojnë keto ndjenja në periudha të jashtëzakonshme si këto aktualet. Diferenca e njerzve mendërisht të fortë qendron në faktin që janë në gjendje ta kuptojnë veten kur mendimet negative po i zhysin gjithnjë e më poshtë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për ta ndaluar këtë proçes. Nëse arrini ta kuptoni energjinë shterruese të mendimeve tuaja dhe ti ndaloni ato, ju keni hedhur hapin e parë ndaj suksesit. Të tregosh kujdes për të kuptuar mënyrën se si ti ndiesh dhe të perceptosh energjinë e mendimeve të tua i jep vetes mundesinë të veprosh për të ndaluar ato mendime dhe ti zëvendësosh me mendime të tjera të vlefshme për ty.
Pikërisht zëvendesimi i mendimeve negative me mendime ose veprime pozitive është thelbi i vërtetë i vetë-manaxhimit.Nëse ju arrini të kontrolloni mendimet tuaja, jeni në gjendje të kontrolloni jetën tuaj dhe sipërmarrjen tuaj.
2- Krijoni Qartësi në ekipin tuaj
Nëse qëllimi juaj është të keni një ekip mbështetës dhe fleksibel në momente pasigurie, është e rëndësishme që çdo anëtar të jetë i informuar qartësisht dhe në mënyre sa më transparente në lidhje me situatën aktuale që ju po përballoni. Çdo anëtar i ekipit duhet të jetë i vetëdijshëm për sfidat konkrete në mënyrë që të japë kontributin e vet për tejkalimin e situatës. Realizimi i takimeve periodike në momente sfide duhet të jetë më i shpeshtë dhe të ketë si fokus jo vetëm evidentimin e situatës aktuale dhe problemeve por gjithashtu të sherbejë edhe si një proçes “brainstorming” për gjenerimin e zgjidhjeve alternative. Që ky proces të jetë sa më efektiv duhet ta bëni gjithëpërfshirës dhe ti krijoni hapësiren çdo anëtari të japë inputet e veta, pasi duke e parë situatën në prespektiva të ndryshme jeni në gjendje si ekip të evidentoni të gjitha burimet që keni në dispozicion për ti vënë në funksion të zgjidhjeve sa më kreative.
3- Zgjidhni perspektivën e duhur
Në çdo sfidë ka ekipe që arrijnë tja dalin me sukses dhe ka ekipe që nuk ja arrijnë.
Komunikoni me ekipin tuaj nga këndvështrimi i një të ardhme optimiste, ku suksesi është arritur pavaresisht kushteve të ekosistemit. Është e rëndësishme që çdo anëtar i ekipit të perceptojë një energji optimizmi dhe besimi në mënyrë që të jenë të motivuar e të përfshihen në një proçes transformimi dhe rritje.
Pyetja që duhet ti bëni vetes në këtë situatë është:
Nëse një vit pas ditës së sotshme ne e shohim veten si një ekip të suksesshëm që ja doli të tejkalonte sfidat aktuale, kush janë disa ndër hapat që duhet të hedhim duke nisur që sot?
Kjo pyetje ju ndihmon të mos zhyteni në problemet aktuale, por ta shikoni situatën në një këndvështrim më të gjërë e të viheni ne kontakt me objektivin e synuar për të gjeneruar zgjidhje të reja duke u adaptuar vazhdimisht me kushtet aktuale.
4- Detyra Kryesore e një Lideri: Te jetë në shërbim të ekipit të vet!
Në të shkuarën perceptimi në lidhje me lider-ët ka qënë se ata janë në drejtim dhe arrijnë suksesin duke patur një ekip që ju shërben për arritjen e qëllimit.
Të gjithë ngjarjet e kohëve moderne kanë treguar se liderët e suksesshëm kanë një mendësi "shërbyesi"ndaj ekipit të tyre.
Detyra më fisnike e një lideri është të krijojë terrenin e duhur që cdo anëtar individual i ekipit të ndihet si një pjesë thelbësore e domosdoshme për arritjen e suksesit të ekipit si një sistem i plotë. Askush në ekip nuk është i tepërt, çdokush është i domosdoshëm pikërisht sepse ka karakteristikat e veta unike, këndvështrimin e veçantë dhe aftesinë për të sjellë në "tavolinë" vlerat që të tjerët nuk i kanë.
Besimi është koncepti bazë që mban ekipin të bashkuar në momente sfidash. Një lider i suksesshëm është i vetëdijshëm se krijimi i besimit është një proçes që kërkon kohën e vet dhe hapi i parë që një lider mund të hedhë për krijimin e besimit është :
Të shpërndajë meritat dhe të marrë mbi vete përgjegjësitë!